Trent Alexander-Arnold ishte ai që i dha fitoren Liverpool, 1-0 ndaj Leicester, duke dënuar rivalët e tyre me rënie nga kategoria. Ndërkohë që, “reds” janë vetëm një fitore larg titullit kampion në Premier League.
Goli erdhi nga njeriu më i përfolur për t’u larguar nga Liverpool, pasi mesfushorit i skadon kontrata në fund të sezonit. Ndryshe nga Salah e Van Dijk, ai nuk ka rinovuar kontratën dhe mund të shkojë në Madrid.
Trajneri i Liverpool, Arne Slot, tha: “Ishte një gol i veçantë për Trent, sepse ai ka punuar shumë për t’u rikthyer në ekip pas dëmtimit. Dhe, për shkak të kësaj, ai pati një moment të mrekullueshëm kur shënoi“.
“Kam një vit që jam këtu dhe kam parë se të gjithë lojtarët që veshin fanellën e Liverpool priten shumë mirë nga tifozët. Nëse humbasin një shans, nëse shënojnë, çfarëdo që të bëjnë, ne do të kemi gjithmonë mbështetjen e plotë të tifozëve tanë”, tha Slot.
Në lidhje me mundësinë që Arnold të qëndrojë, ai shtoi: “Ne preferojmë të flasim për njoftimet zyrtare, jo se si po shkojnë negociatat. Ajo që di është se Trent është rikthyer në fushë, po stërvitet sërish me ne, ka pasur një sezon të mirë, kështu që shpresoj të na ndihmojë në fund të sezonit për të arritur atë që shpresojmë të gjithë“.







