Ignat “spiunon” Vllazninë në Rumani, mbrojtësi tregon të ardhmen

11 Janar 2019
11:25
Eraldo Harlicaj
back button

Vllaznia po kryeson grupin e veriut në Kategorinë e Parë. Ekipi shkodran e nisi sezonin me shumë pikëpyetje, pasi përgatitjet nisën me vonesë. Administrator u vendos Suad Lici, ndërsa si drejtor sportiv, Engin Firat. Merkatoja ishte e vakët dhe në emergjencë, një ndër emrat që u afrua ishte dhe rumuni Dan Ignat. Mbrojtësi me eksperiencë ka luajtur si titullar në këtë gjysmë sezoni dhe ka ndihmuar goxha Vllazninë. Skuadra shkodrane ka pësuar vetëm 5 gola këtë sezon, meritë ka dhe shtatlarti. 

Në një intervistë për mediet rumune, Ignat ka treguar situatën në Kategorinë e Parë të Shqipërisë, klubin e Vllaznisë, por dhe mbresat nga qyteti i Shkodrës. "Ne jemi një nga skuadrat më të titulluara në Shqipëri. Sezonin e kaluar, për herë të parë në histori, skuadra e Vllaznisë ka rënë nga Kategoria. 

"Kategoria e parë ka një nivel të mirë, bazohet më shumë në agresevitet dhe shpejtësi. Klubi ka mbajtur lojtarët e sezonit të shkuar, ka futbollistë me eksperiencë, kanë ndeshje në Europë, por dhe në kombëtare. Kjo është arsyeja se pse e përfunduam kampionatin 7 pikë larg vendit të dytë me vetëm një humbje. Shpresoj që të ngjitemi në Superiore", – tregon fillimisht Ignat. 

Nga krahu tjetër nuk mund të mungonte dhe një përshkrim për Shkodrën. "Është një qytet i bukur, i madh, ka një stadium super dhe tifozë të zjarrtë. Është bukur këtu. Jam i surprizuar se të gjithë në Shkodër ecin me biçikletë ose skutera, të rinj, të vjetër, gra, madje dhe njerëz të veshur shik". Në ditët e para të janarit u mendua se rumuni do të largohej nga Vllaznia, por intervista e tij i hedh poshtë zërat, pasi duket se do të qëndrojë deri në fund me shkodranët. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit