Jonuz: Nuk firmos për barazim, s’e shoh sfidë mes meje dhe Cungut

26 Tetor 2019
11:32
Alfred Lleshi
back button

Nesër, prej orës 13:00, do të luhet një nga sfidat kryesore të javës së 10-të të Superiores. Laçi do të presë në shtëpi kuqeblutë e drejtuar nga Mirsad Jonuz. Dy skuadra që kanë këmbyer mjaft lojtarë ndër vite, sidomos në aksin Shkodër-Laç. Kurbinasit për momentin i drejton një “pinjoll kuqeblu”, Armando Cungu, ndërsa në kampin tjetër është Ndriçim Shtubina, i cili sezonin e kaluar ishte pikë referimi te bardhezinjtë. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri Jonuz u tregua i matur, duke e vlerësuar kundërshtarin, por nuk e fshehu objektivin: 3 pikët.

“Situata në ekip? Ndodhemi në një periudhë, kur po luajmë “non stop”, pra të dielën dhe në mesjavë. Të gjitha këto ndeshje janë të rëndësishme për ne, ashtu sikurse është edhe transferta e nesërme me Laçin. Nuk ka diferenca mes skuadrave të Superiores. Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe të rëndësishme. Tash tre muaj, të gjithë lojtarët janë me mua. Pas fazës së parë, pra pas 9 ndeshjeve, njihemi edhe më mirë. Kemi një komunikim mjaft pozitiv. E përsëris, ndeshja me Laçin është mjaft e rëndësishme në këto momente. Të dyja skuadrave iu duhen pikët. Unë kam punuar përditë që të krijoj një Vllazni kompakte, që mund të luajë e fitojë kundër çdo kundërshtari. 

Laçi ka luajtur në Kupat e Europës, si produkt i sezionit të kaluar. Lojtarët e tij kanë luajtur gjatë gjithë verës. Para dy javësh ka marrë edhe trajnerin e ri. Kundërshtari i nesërm ka mjaft kualitete brenda vetes. Nga ndeshja në ndeshje, shihet qartë se Laçi po luan mirë e më mirë. Në këtë transfertë do të marrim 20 lojtarë me vete. Të gjithë duhet të jenë gati për të dhënë gjithçka nga vetja. Do të mungojnë Igor dhe Gligorov. Ajo që duhet nënvizuar për këtë lloj derbi fqinjësh është se të dyja skuadrat janë mësuar të fitojnë dhe të lënë pikë në shtëpi apo fushën e kundërshtarit. 

Pas ndeshjes me Flamurtarin, disa lojtarëve iu kemi dhënë pushim, çka është normale, duke pasur parasysh një fazë të parë, ku është luajtur të mërkurën dhe në fundjavë. Gjithë grupi është i gatshëm, i freskët për nesër, përveç dy lojtarëve që i përmenda më parë. Pres maksimumin nga secili që do të hidhet në fushë dhe të fitojmë 3 pikët. Është interesant fakti se lojtarët e Vllaznisë kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja në kësi ndeshjesh.

A firmos për barazimin? Nuk na përshtatet as ne, as kundërshtarit. Shkojmë për të fituar. Vllaznia nuk ka humbur asnjë ndeshje jashtë, deri tani, por brenda? Mendoj se kjo lloj tradite do të vijojë edhe nesër. Dy ndeshjet e humbura prej nesh brenda, me Tiranën dhe Partizanin, ishin fatkeqësi. Pjesë e fatkeqësisë, tashmë dihet, ishte dhe gjykimi në ndeshjen e parë dhe ndonjë gabim yni në të dytën. Për ne nuk ka rëndësi renditja aktuale në klasifikim. Me rëndësi është që të ndërtojmë skuadër të stabilizuar e të mirë. 

Pas Laçit do të kemi ndeshje të forta, si me Tiranën e Bylisin. Në vazhdimësi do të shihet klasifikimi dhe puna jonë. Dëshira ime është që të fitojmë sa më shumë pikë në fazën e dytë. Jonuz-Cungu, sfidë brenda sfidës? Nuk ka fare lidhje. Ai bën punën e tij, unë timen. Ky është futbolli, Cungu mund të jetë te Vllaznia pas disa kohësh, unë të shkoj diku tjetër. Kështu e ka futbolli, profesionalizmi”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit