“Luftë” me dritat, ja si po riaftësohet kryegolashënuesi i Tiranës

23 Dhjetor 2019
14:12
Alfred Lleshi
back button

Nga “ferri” në “parajsë”, nga Julian Ahmataj tek Emanuel Egbo. Nga humnbjet dhe fundi i renditjes te tri fitore radhazi dhe afrimi me kreun. Mes këtyre kapërcimeve pindarike të bardhebluve, “qershia mbi tortë” ishte fitimi i derbit të madh të kryeqytetit, pas rreth 6 vitesh “agjërim” në këtë drejtim. “Ëmbëlsira” për në fundviti ishte pa dyshim fitorja e djeshme me përmbysje në Laç, në një terren shumë të vështirë, falë kushteve klimaterike dhe atmosferike tepër të rënduara. Tirana mund të konsiderohet pa frikë si skuadra e dhjetorit, falë trajnerit të emergjencës, që nuk u soll nga ndonjë planet tjetër, por ishte aty, në kampin bardheblu, duke bërë punën e trajnerit të portierëve kokulur. 

Pra, Emanuel Egbo meriton fjalët më të mira, edhe pse ai, si modest që është, e ndan këtë sukses me lojtarët e tij. Dhe mirë bën, sepse ua ka gjetur “pinin” atyre, i ka bërë të jenë të pathyeshëm në fushë. Me siguri, duke i vendosur në vendin e duhur, duke respektuar hierarkitë, sepse nuk kishte “shkopin magjik” për ta tjetërsuar në këtë mënyrë skuadrën me stërvitje ekstra apo gjëra të tjera të këtij lloji. Dhe të mendosh se e ka bërë këtë me disa mungesa, ku spikat ndër të tjera ajo e mesfushorit shkodran, Edon Hasani, pikë referimi te 24 herë kampionët e vendit, autor i 6 golave në 13 ndeshje. 

E thënë ndryshe, Hasani është golashënuesi më i mirë i Tiranës në këtë kampionat, ndaj riaftësimi i tij nga dëmtimi që pësoi më 7 dhjetor, në ndeshjen kundër Kukësit, në “Selman Stermasi”, e vlefshme për javën e 14-të të Superiores, pritet me gishta të kryqëzuar. Me siguri, pushimet e fundvitit do t’i vijnë në ndihmë 27-vjeçarit, për ta kaluar këtë moment “jo” në karrierë dhe qenë gati për përgatitoren turke të janarit. Në funksion të kësaj, Hasani po ndjek terapi specifike në një klinikë fizioterapie dhe ortopedike në Tiranë, me staf të specializuar në Milano. Sikurse duket edhe në videon shoqëruese të këtij shkrimi, ushtrimet për forcimin e muskujve të këmbëve dhe konsolidimin e ekulibrit janë të veçanta. Gjithçka në funksion të rehabilitimit sa më të shpejtë dhe profesional të gjurit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit