Tirana në kaos, Mema del hapur: Lojtarët nuk kanë dëshirë! Ky është turp

23 Tetor 2019
15:39
Alfred Lleshi
back button

Ndoshta “kupa është mbushur” edhe për të, pavarësisht se e përjashton veten nga përgjegjësia për humbjen e sotme në Ballsh. Ardian Mema thotë se lojtarëve u mungon shpirti i garës, gjë që po e penalizon Tiranën. Pas humbjes 3-1 në “Adush Muca”, trajneri i bardhebluve nënvizoi: “A ishte kjo, një humbje e merituar? Nuk do të shprehesha kështu. Problemet i patën mbrojtësit tanë, në goditjet standarde. Nuk e kuptoj këtë situatë; ta përgatisësh çdo gjë në detaje dhe ta humbësh ndeshjen për një përqendrim, është për të ardhur keq. Ia dhuruam ne fitoren kundërshtarit. 

Bylisi nuk është se po sulmonte shumë, edhe pse e nisi lart lojën, por luftoi fort për topin e parë. Më erdhi keq për mënyrën se si pësuam. Ka një vit që punojmë për t’i rregulluar këto gjëra, nuk shkon kështu. Goli i tretë erdhi nga hiçi? Të tre golat ia dhuruam kundërshtarit. Edhe sikur skuadra të mos kishte trajner, duhej të kishte më tepër përqendrim e të mos pësonte kësi golash. Nuk di si ta quaj. Të pësosh gol nga goditje standarde, pa lëvizur askush, kjo nuk ka lidhje me trajnerin. Shoh mungesë dëshire të lojtarëve, nuk ka lidhje me trajnerin.

Sikur të kishim lojtarë edhe më të mirë, po të luanim si sot, do të mundeshim. Nuk është rezultat i menaxhimit të keq. Kemi bërë mirë në këtë kampionat, nuk është se jemi shkëputur nga kreu dhe këtu përfundoi çdo gjë për titullin. Gara është e gjatë, ka vend për korrigjime. Për momentin më shqetëson diçka: Tirana nuk ka shpirtin e garës, që e karakterizon. Kjo është e vërtetë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit