Mema: Nuk presim dhurata, kemi një avantazh ndaj Partizanit

11 Maj 2019
12:27
back button

Koha për derbin e fundit të sezonit dhe është ndeshja që vlen sa një sezon sidomos për Tiranën, që kërkon të marrë fitoren që ndoshta do vlente mbijetesën në Superiore, pa qenë në ankth deri në minutat e fundit të sezonit.

Trajneri Ardian Mema, në konferencën e zakonshme për shtyp, nuk ka dashur të shtojë presionin mbi skuadrën e tij, por e ka bërë të qartë se dy ndeshjet e radhës, kundër Partizanit dhe Kastriotit, vendosin shumë në lidhje me fundin e sezonit, para finales së kupës.

Natyrisht, Mema ka folur edhe për Partizanin, duke e pranuar se mungesat e të kuqve janë një avantazh jo i vogël.

Derbi, ku mungon fitorja bardheblu prej vitesh – “E kemi përgatitur ndeshjen dhe do luajmë për tre pikë. Na nevojiten pikët dhe kjo është më e rëndësishmja për ne. Gjithsesi, gjithçka do të tregojë fusha dhe loja e nesërme. Do bëjmë maksimumin për të marrë pikët dhe të shohim përpara.”

Presioni – “Si anë psikologjike është e mirë, pasi vijmë nga dy fitore radhazi. Presioni në derbi është gjithmonë. Sido që të ishte renditja do të kishte presion. Është ndeshje historike dhe janë dy ekipe të mëdha.”

Festa e mundshme e Partizanit – “Ne lumturohemi nga rezultati jonë. Nuk më shqetëson pjesa e kundërshtarit. Nuk luajmë për të prishur festën e Partizanit, por për veten tonë. Kemi problemet tona dhe janë evidente. Tirana ka kohë që nuk fiton ndaj Partizanit dhe do të ishte një dhuratë për këtë fund sezoni për tifozët.”

Tirana shpesh favorite në derbi këto vitet e fundit, por pa sukses – "Nuk e di këtë, është subjektive. Këtë vit kemi humbur një derbi që nuk duhej ta humbnim, kemi barazuar në një ndeshje që mund ta fitonim. Fjala favorit në derbi nuk ka shumë vlerë, mendoj se përqendrimi maksimal jep rezultat në derbi. Nuk ka favoritë, është presion artificial kur flitet për favoritë ose jo. Karikimi është i detyruar, por favoritin e vendos fusha. Jemi duke luajtur mirë prej disa ndeshjesh, duke përfshirë ndeshjet ndaj Luftëtarit, që e ka mundur bindshëm Partizanin. Kemi gabuar në disa momente në mbrojtje, si shpesh këtë sezon, por nesër ekipi do jetë i karikuar mirë, vetiu, pa qenë nevoja të flas unë".

Alban Hoxha nuk do rënien e Tiranës – "Po të ishim në role të kundërt, është unë ashtu do thosha. Tirana e Partizani, përtej rivalitetit në derbi, kanë bërë historinë e njëra-tjetrës. Historia shkruhet nëpërmjet fakteve dhe dueleve ndër vite, Partizani-Tirana ka qenë ndër më të mëdhenjtë".

Përzgjedhjet e lojtarëve dhe merkatoja e Tiranës – "Në fund të sezonit do të bëhet një analizë e thellë, për të kuptuar gabimet që kemi bërë dhe për të mos i bërë në të ardhmen".

Partizani ka mungesa – "Ka goxha elemente të mira, përtej mungesave, që janë shumë të rëndësishme. Mensah e doja në janar, por nuk u arrit marrëveshja. Po ashtu, Asani është lojtar që më pëlqen shumë, ashtu si Telushi. Është favor për Tiranën që Partizani ka këto mungesa dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë moment".

Partizani thuajse kampion, favor për Tiranën? "Nuk e mendoj kështu, Partizani ka kalendar shumë të vështirë dhe nuk pres asnjë dhuratë. Tiranës nuk i ka falur askush asgjë, nuk pres të ndryshojë gjë. Kemi Partizanin dhe Kastriotin përpara, këto janë finalet tona. Nëse dalim mirë në këto dy ndeshje, gjithçka merr për mbarë dhe do të mendojmë më pas për finalen e kupës, që është mundësia e madhe për të shkuar në kupat e Europës". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit