Mema “shënjestron” Kupat e Europës: Tani shohim lart, jo nga fundi i renditjes

16 Mars 2019
13:20
Alfred Lleshi
back button

Nesër, në orën 14:00, Tirana do të luajë transfertën e javës së 25-të të Superiores me krutanët. Trajneri Ardian Mema ka preferuar të flasë për gazetarët nga fusha e stërvitjes mesditën e sotme, jo nga zyrat e klubit, në konferencën për shtyp. Përballja me Kastriotin, por jo vetëm, kanë qenë pjesë e deklaratave të tij: 

“Ndaj Kastriotit është një ndeshje delikate, sepse po e fituam, ngjitemi më shumë në klasifikim. Pra, suksesi nesër na bën të shohim pjesën sipër të renditjes, jo më atë poshtë. Për këtë rëndësi kam folur edhe me lojtarët. Mora vesh dje që ndeshja do të luhet në Fushë-Krujë. 

Nuk më bezdis ky fakt, por cilësia e fushës aty. Sidoqoftë, do të jetë e njëjtë për të dyja skuadrat. Çdokush duhet të përgatitet për kushtet jo të favorshme. Problemi im është vetëm cilësia e fushës, jo stadiumi. FSHF ka bërë mirë, sepse atje është një komunitet që e do shumë futbollin. 

Kundërshtari? Kastrioti lufton shumë, bën presion. E kam studiuar dhe kam në konsideratë pjesën mbrojtëse të krutanëve, që lufton shumë. Ne kemi marrë masat tona dhe duam ta kalojmë me sukses këtë transfertë.

Formacioni? Kobina nuk do të jetë, sepse ka dëmtuar gjurin. Shpresojmë të jetë në ndeshjet e ardhshme. Sentamu mund të jetë i grumbulluar për nesër. I kam bërë testet fizike javën e kaluar dhe tregoi se është stërvitur mirë. E shoh në gjendje ta përballojë lojën.

Mbrojtja jonë më e saktë? Nuk është vetëm përqendrimi, që e ka përmirësuar këtë repart. Është një punë në vazhdimësi, duhet kohë për një trajner që të rregullojë gabimet. Lojtarët më kanë kuptuar dhe kjo më gëzon. Ata e kuptojnë mentalitetin dhe filozofinë time të punës. Objektivi? Shpresojmë të fitojmë nesër, pastaj i shohim gjërat më ndryshe. Nëse vazhdojmë të fitojmë, vetvetiu do të shohësh nga kreu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit