Një shekull futboll, Vllaznia feston me lot!

16 Shkurt 2019
10:19
Eraldo Harlicaj
back button

16 shkurt 1919… Shqipëria ishte e trazuar nga 1001 halle dhe vuajtje të përditshmërisë. Njerëzit luftonin për të mbushur barkun me bukë, ndërsa mundësitë e argëtimit ishin aq të limitura sa që nuk e gjeje as në fjalor një fjalë të tillë. Pikërisht në një moment të tillë kur problemet të rrukullisnin sa nga njëri krah në tjetrin, disa djelmoshë në Shkodër vendosën të vrisnin kohën në ndjekje të një sfere. Në rininë e atëhershme kishte arritur fjala se një lojë e re, futboll quhej, po çmende botën. 

22 burra që vraponin pas një topi për të shënuar gol. Budallallik, qeshnin me njëri-tjetrin, por vazhdonin të djersisnin e acaroheshin për të shënuar. Shkodra vendosi gurin e parë në një themel të fortë, pasi djemtë e këtij qyteti menduan të krijonin klubin e parë në Shqipëri. Vllaznia e quajtën, si për të treguar se klubi i tyre ndërtohej mbi vlera dhe lidhje të forta e të pastra njerëzore. 

Viti 2001, Vllaznia fitonte titullin kampion. I fundit për shkodranët 

Si një "hirushe e vërtetë" lindi ekipi kuqeblu. Në Shkodër kujdeseshin që të rritej e të kishte suksese të mëdha. Ndër vite, ekipi kuqeblu arriti të lartësonte emrin e tij duke i dhënë tonusin futbollit shqiptar. Kurba kishte ulje dhe ngritje të mëdha, por qyteti prodhonte talente. Tifozët dhuronin spektakël dhe futbolli u kthye në fe. Njerëzit zgjoheshin dhe flinin me kuqeblutë. 

Vllaznia u kthye në një zonjushë të bukur e më pas në një zonjë të rëndë, duke koleksionuar 9 tituj kampion, 6 kupa republike dhe 2 superkupa. Të kalosh në emra të përvetshëm futbollistësh nuk do të mjaftonin dhe 90 minuta për t'i renditur, pasi Shkodra ka nxjerrë legjenda. Burra me peshë që kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë gjithçka për ekipin kuqeblu. Secili ka hedhur një tullë për të ndërtuar kështjellën që është sot. Një kala që nuk mendohej se do të shpartallohej…

16 shkurt 2019… Vllaznia feston 100 vjetorin. Ekipi kuqeblu pas rënkimit prej vitesh në fundin e Superiores, ra në Kategorinë e Parë. U përjetua si vdekje, ishte tragjedi. Nga një zonjë e rëndë, Vllaznia është kthyer në një plakë të moçme që dremitet dhe rënkon për shpresë. Klubi është shkatërruar, kuqeblutë nuk kanë shtëpi, nuk kanë më një stadium enjë ekip konkurrues. Vllaznia është plaçkitur dhe vjedhur pafund, nga çdo administratë. Kuqeblutë mbesin peng i një Bashkia që e sheh si pjesën kryesore të korrupsionit dhe nuk e privatizon, pasi përndryshe nuk do vidhnin. 

Organizimi i Bashkisë me fëmijët e ekipeve të moshave

Janë për turp, e kthyen në turp! E sot, kur duhet të ishte një ngjarje e shënuar për klubin më të vjetër në Shqipëria. Presidenca e shkodranëve ka mobilizuar forcat për protestën politike, asnjë organizim dinjitoz për datëlindjen e Vllaznisë. Disa fëmijë të mbledhur për t'i dhënë jehonë qesharake atmosferës, ashtu si drejtimit në vitet e fundit. Tradhtuan vlerat e këtij emri, parimet dhe dashurinë e atyre djelmoshave që i dhanë frymë në vitin 1919. E sot, kur duhej të ishte një ditë feste e të urohej me të madhe, nuk mbetet gjë tjetër vetëm të thuhet: Mbahu loke, ne do tretemi në dhe e ti do të lartësohesh e fortë siç të ka hije!    

Lajme të tjera

Lajmet e fundit