Shehi jep kushtrimin te Tirana: Kjo javë përcakton fatet e krejt sezonit

7 Maj 2021
12:04
Alfred Lleshi
back button

Hapi fals në Ballsh e ka ulur entuziasmin te bardheblutë për ta mbrojtur kurorën e kampionit. Tashmë ky mision është vështirësuatr shumë, referuar distancës nga kreu. Trajneri Orges Shehi apelon për përqendrim në sfidat e mbetura, duke nisur nga nesër ndaj Kastriotit:

“Kemi thënë se çdo skuadër ka objektivat e veta. Kastrioti është kundërshtar që nuk ka marrë pikë në javët e fundit, por të hap probleme, sepse ka objektivat e veta për t’i arritur. Ne jemi për t’u ngjitur lart, ata janë për t’i shpëtuar fundit të tabelës.

Do të jetë një ndeshje e luftuar nesër. Na ndajnë vetëm 5 javë nga fundi, duhet të jemi të përqendruar, të kujdesshëm dhe të çojmë topin në rrjetë. Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, luajmë fatet e gjithë sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar, sepse e ka nisur shumë herët vitin futbollistik.

Rivali më i rëndësishëm? Kastrioti, që luajmë nesër. Nuk është rivali ynë direkt, por rivali i radhës është më i rëndësishmi. Duhet të bëjmë mirë, të shfrytëzojmë rastet, sepse futbolli është edhe lojë momenti dhe duhet shfrytëzuar. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë, sepse na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes. Nesër nuk do kursejmë asnjë lojtar për derbin.

Kemi edhe mungesa për shkak kartonësh. Do aktivizoj lojtarët që janë në gjendjen më të mirë. Titulli? Mendoj se kemi shanset tona nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse ndodh kjo, mendoj se do jemi brenda objektivit tonë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit