Shehi: Tirana është krenari dhe përgjegjësi e madhe. Frikë aspak, kujdes po…

27 Janar 2021
12:04
Alfred Lleshi
back button

Krenari dhe përgjegjësi. Orges Shehi i ndien mbi shpatulla të dyja, teksa ka marrë përsipër të drejtojë Tiranën në një moment delikat, me dy paraardhës të tij të shkarkuar brenda këtij sezoni (Egbo dhe Dede). Zhbilancimi me pikë është i konsiderueshëm nga kreu, por grupi i lojtarëve në dispozicion jep besim dhe shpresë. Së këndejmi niset edhe trajneri i ri bardheblu, kur sheh ende mundësi fitimi të titullit. Gjatë prezantimit, Shehi tha ndër të tjera:

“Jam krenar dhe i kënaqur të bëhem pjesë e klubit më të titulluar në vend. Ambiciet janë të mëdha. Kemi rrugë të gjatë përpara, skuadra do tentojë të ngjitet sa më lart. Synimi është maja, por shkallët do t’i ngjisim dalëngadalë. Objektivat e klubit dihen, gjithmonë në majë. Në këtë profesion, përgjegjësia është e madhe dhe unë nuk jam tip që i shmangem asaj. Tiranën e prita me shumë qejf, sepse është klub i madh dhe ka një organikë të mirë lojtarësh. E prita me kënaqësi dhe këto ishin arsyet pse pranova.

16 pikë larg kreut? Do t’i marrim ndeshjet një nga një. Nuk mund të mendojmë tani për Vllazninë, kur kemi ndeshjen e radhës me Apoloninë; shkallë-shkallë të ngjitemi lart. Unë e di se Tirana ka tifozë të zjarrtë, për të mos thënë më të zjarrtët në vend. E di që ata sakrifikojnë dhe e duan shumë këtë fanellë. Unë, ish i Partizanit? Pak rëndësi ka ku kam luajtur, kam ndërruar 7 fanella. Kur e merr një skuadër në mes të sezonit nuk mund të bësh llogari se kush e bëri e kush jo. Unë kam njohuri për skuadrën, e njoh mirë dhe siç e thashë edhe më parë kontingjenti është i gatshëm të luftojë për sa më lart. Nuk jemi në pozicionin e duhur në renditje.

Nga sot duke e prekur stërvitjen dhe duke e parë nga brenda mund të jap një opinion më të saktë, por mendoj se është edhe pak çështje fati prej mungesave, por edhe psikologjia ndikon. Presioni është prezent dhe normal, sepse jemi në një skuadër me pritshmëri të mëdha. Sa iu përket ndërhyrjeve nga presidenca… Unë jam trajneri. Në qoftë se klubi mund të ketë politika për një lojtar të caktuar, që të shitet në një kampionat më të fortë, sigurisht do ta ndihmojmë duke e aktivizuar më shumë.

Sa iu përket sugjerimeve, dje kam ndenjur me presidentin shumë orë dhe në asnjë moment nuk më është thënë kjo, por më janë kërkuar rezultatet. Më është thënë se nuk më intereson kush është në fushë, por dua rezultatet. Risku është present. Po të jetojmë me frikën e riskut, s’do punonim fare.

Tirana për momentin është poshtë, por them se do të ngjitet, shpresoj ta bëjë këtë dhe të arrijë objektivat, pastaj risku është prezent kudo. Unë me gjithë stafin tim duhet të bëjmë maksimumin në psikologji dhe taktikë e teknikë. Pastaj, jam koshient se rezultatet të mbajnë në punë. Unë vij më dëshirën e madhe që të jem gjithë jetën te Tirana, por edhe sikur do të iki nesër. Të kesh të gjithë skuadrën gati është gjë e mirë, sepse kanë munguar lojtarë kampionë, që kanë peshë të madhe. Frikë aspak, kujdes po”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit