Mohamed Salah është ende në udhëkryq për sa i përket të ardhmes. Kontrata e sulmuesit egjiptian me Liverpool skadon më 30 qershor dhe prej kohësh përflitet se rinovimi duket i vështirë. Paraqitja e Salah këtë sezon është e jashtëzakonshme, por “martesa” duket drejt fundit.
Mundësia e një lamtumire po bëhet gjithnjë e më e mundshme, pasi edhe rroga faraonike e egjiptianit, prej rreth 18 milionë stërlinash në vit po e zbeh dëshirën e “reds” për ta mbajtur sërish. Sipas “Daily Mail”, vendet arabe janë të gatshme t’i ofrojnë atij një rrogë të çmendur.
Mësohet se oferta që mund të vijë nga Arabia kap shifrën e 77 milionë eurosh për një kontratë dyvjeçare. Një shumë marramendëse për një futbollist 32-vjeçar, por që këtë sezon, në 29 ndeshje ka realizuar 21 gola dhe 18 asist. Duket se skuadra që ia ka vënë syrin Salah është Al Hilal.
Një fotomontazh i Turki Alalshikh në rrjetet sociale, president i Autoritetit të Përgjithshëm për Sportin në Arabinë Saudite, që ka postuar një foto të Salah i veshur me një fanellë të Al-Hilal, ka shtuar zërat për këtë transferim. Tashmë i takon egjiptianit të vendosë se çfarë të bëjë me të ardhmen e tij.







