“Vllaznia në fundin e koshit, futbollistë pa karakter”, – flet ashpër Zmijani

21 Qershor 2020
13:14
Eraldo Harlicaj
back button

Legjenda e Vllaznisë, Hysen Zmijani, ka folur për Shkodra Sport në lidhje me situatën që po kalon momentalisht ekipi shkodran. Legjenda ia faturon gjithçka menaxhimit skandaloz të Bashkisë Shkodër.

Lojtarët– “Më shumë po shikojnë për të marrë paratë e tyre, sesa për të dhënë shpirtin për këtë skuadër. Mungon dëshira për këtë fanellë, për të kontribuar për të. Jam plotësisht dakord që nuk luhet pa lekë dhe pa një korrektesë në këtë drejtim, por nga sa kam informacion pagat e tyre do të paguhen rregullisht. Mosmarrja në kohë ka ndikimin e vet, por jo deri këtu”.

Bashkia – “Normale që aty fillojnë problemet. Për më shumë se tetë sezone kemi një ekip që shkon çdo sezon deri në frymën e fundit për të mbijetuar. Përherë shpenzohet dhe frytet janë njëlloj. Nuk e di çfarë pret më kjo bashki. I afrohet një njeri apo një firmë serioze dhe nuk arrin që ta bëjë të mundur kalimin e skuadrës te privati. Vetëm privatizimi është shpëtimi i Vllaznisë. Më vjen keq se e kanë çuar emrin e këtij klubi dhe fanellën e saj në fund të koshit”.

Vllaznia – “Dikur ishte ëndërr për gjithkënd që luante futboll, shkodran apo jo shkodran, që të vishte të paktën njëherë fanellën e Vllaznisë. Tani lojtarë apo edhe trajnerë për 100 mijë lek të vjetra më shumë janë të gatshëm që të ikin prej Vllaznisë. Këtu them për shkodranë e jo shkodranë. Të vjen keq sinqerisht që s’di çfarë të thuash për këtë emër. E ritheksoj, kur ta marrë një person që i “djeg xhepi”, vetëm atëherë do të shikojmë Vllazninë që duam”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit