Xhaferi zbarkon në fushën e stërvitjes, ja çfarë kërkon nga Vllaznia

10 Korrik 2020
9:55
Alfred Lleshi
back button

Sikurse njofton faqja zyrtare e Vllaznisë, biznesmeni Alban Xhaferi nuk ka humbur kohë që të zbarkojë në fushë. Madje atë të stërvitjes, për t’i stimuluar kuqeblutë për pjesën e mbetur të sezonit. Vetëm pak orë pas zyrtarizimit të marrëveshjes së arritur me Bashkinë e Shkodrës dhe KF Vllaznia, Xhaferi ka nxituar të takojë ekipin. Ka qenë administratori Suad Lici, ai që e ka prezantuar para lojtarëve dhe stafit teknik, duke thënë se tani e tutje, me z.Xhaferi do të bashkojnë forcat për të bërë më të mirën për Vllazninë.

Më pas e ka marrë fjalën Xhaferi: “Siç jeni vënë në dijeni, kam arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Shkodër për një menaxhim më të mirë të Klubit të Futbollit Vllaznia. I kemi bashkuar forcat me bashkinë për të rritur nivelin e futbollit në Shkodër. Ju bëj të ditur arsyen pse jam këtu, dashuria për fanellën kuqeblu. Jam rritur me këtë dashuri dhe kam ambicie të mëdha për ta ngjitur këtë fanellë në majat më të larta të futbollit shqiptar.

Angazhimi im në futboll do të ofrojë standarte të reja në shumë aspekte, kryesisht në pjesën e menaxhimit, por edhe në rezultate dhe elementë të tjerë, që kanë të bëjnë me këtë lojë. Dëshira ime është të takoj gjithësecilin, për të folur më tepër, por në këto momente ju këshilloj të fokusoheni te fusha e lojës, mos u merrni me ato që thonë të tjerët. Mendoni vetëm për momentin e vështirë që po kalon Vllaznia.

Të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë moment, në mënyrë që sezonin tjetër të kemi plane shumë më ambicioze, për ta çuar këtë skuadër në nivele më të larta. Kuptohet që këshilla ime ësht të punojmë fort dhe me ndihmën e Zotit të arrijmë objektivin e duhur, ta kalojmë këtë fazë të vështirë dhe pastaj të mendojmë për sezonin tjetër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit